Noli i poezisë

Njërën ndër arsyet e tingëllimit origjinal të poezisë së Nolit duhet kërkuar pikërisht te gjuha e saj e veçantë. Ai, duke qenë në kundërshti të plotë me krijuesit e poezisë shqipe të periudhës ndërmjet dy luftërave, me Asdrenin, Lasgushin, Fishtën etj., edhe në rrafshin programatik, por edhe në vetë krijimtarinë e tij në planin e angazhimit gjuhësor, ishte antipurist.
Shrkuan: Hysen MATOSHI, Prishtinë
Sa herë që përmendim Fan Stylian Nolin, mendja jonë paksa shpërqendrohet dhe vetvetiu lind pyetja për cilin Nol është fjala. Janë të rralla personalitetet e kulturës sonë të cilat integrojnë në vete një gamë aq të gjerë aktivitetesh dhe po aq më të rralla janë ato personalitete që lanë gjurmë, sikundër bëri ai, në fushat e angazhimit të tyre të gjithanshëm. Si i tillë – pra si publicist, historian, poet, dramaturg, kritik letrar, përkthyes, orator, politikan, poliglot (ndër më të dalluarit e kulturës sonë), kompozitor, muzikolog dhe teolog – ai prore ka zgjuar interesimin e studiuesve të kulturës, të historisë së re të Shqipërisë dhe përgjithësisht të botës shqiptare. E përbashkëta më e madhe e këtyre interesimeve të tij të veçanta është se ai, pothuajse në të gjitha sferat e angazhimit, preku majat e arritjeve tona kulturore. Polidimensionaliteti i tij dhe vlerat e padyshimta që ia la trashëgim kulturës sonë të gjithmbarshme, madje në kaq fronte përpjekjesh, kanë bërë që nga ndonjë studiues të cilësohet, madje me të drejtë, edhe si “institucion i një kulture”.[1] Një studim më i plotë i Nolit andaj, logjikisht, do të kërkonte barasvlerën e një pune të nivelit të rezultateve të tij. Kjo është mbase pengesa më e madhe pse Nolin e gjejmë aq shumë të studiuar, aq shumë të trajtuar dhe megjithatë askund si të tërë.
Aspekte të origjinalitetit poetik të Nolit
Gjithsesi edhe synimi ynë studimor orientohet vetëm nga njëra veprimtari e tij intelektuale e krijuese, nga poezia, me një përcaktim të mëtejmë në aspektet stilistike të poezisë së tij. Poezitë e Nolit nuk janë të shumta si numër dhe megjithatë studiuesit dhe hartuesit e historive të letërsisë, të të gjitha kohëve, shohin tek ai njërin ndër krijuesit që e shënon epokën e vlimeve stilistike në poezinë shqipe, sikundër ishte periudha ndërmjet dy luftërave botërore. Vlerësimet për të në kuadër të historive të letërsisë shqipe prekin në mënyrë të pashmangshme aspektet stilistike të krijimtarisë së tij sikundër edhe konsideratën për të si njëri ndër stilistët më të mirë modernë të shqipes. Në Historinë e letërsisë shqiptare të grup autorësh, Tiranë 1983, në këtë pikëpamje mund të lexojmë vlerësimin: “Për nga fryma revolucionare, përmbajtja e pasur ideore, forca e ndjenjave dhe mjetet stilistike të një mjeshtërie të përsosur, vjershat e Nolit, edhe pse pak në numër, zënë një vend kryesor në letërsinë shqiptare”[2]; ndërsa Robert Elsie, duke e çmuar (tok me Faik Konicën) njërin ndër dy stilistët më të mëdhenj të shqipes moderne, në historinë e tij konstaton: “Megjithatë, ndihmesa kryesore e Fan Nolit për letërsinë shqipe ishte si stilist, çka vihet re sidomos në përkthimet.”[3] Po me aspekte stilistike të krijimtarisë poetike të Fan Nolit janë marrë edhe studiues të tjerë, si, bie fjala, Bajram Krasniqi me trajtesën “Botëkuptimi dhe stili i Nolit”[4] etj. Ndër shumë gjykime mbi veprën poetike të Nolit veçoj konstatimin e Bajram Krasniqit, i cili e çmonte atë si poet të papërsëritshëm dhe origjinal.
Si mundet, në të vërtetë, një autor që ka shkruar vetëm disa dhjetëra poezi të konsiderohet një poet origjinal, një poet që e kishte formësuar stilin e tij? Megjithëse, diçka e tillë ngjet rrallë në letërsi, kjo nuk është e pamundur. Fakti se poezitë e tij kanë vlera artistike dhe frymojnë si një tërësi ka bërë që ai të çmohet ndër autorët më të mirë të periudhës që po studiojmë kundruall poetëve tanë të tjerë që madje kishin shkruar dhjetëra përmbledhje poetike dhe për të cilët dinë shumë-shumë specialistët e kësaj periudhe, madje jo të gjithë. Origjinaliteti i Nolit si poet është reflektim jo vetëm i mjeteve shprehëse të krijimeve të tij, por edhe i karakterit të tij të veçantë si njeri, andaj kur flasim për poetin, kemi parasysh edhe oratorin, polemistin, politikanin dhe, mbi të gjitha, dijetarin e quajtur Fan Noli. Poezia, rrjedhimisht, bëhet njëra nga format shprehëse të kësaj bote të veçantë polidimensionale, në origjinalitetin e së cilës kanë hisen e tyre shumë faktorë. Është e udhës të përmendim me këtë rast se poezia e Nolit, si vepër e një krijuesi polidimensional, nuk mjaftohet thjesht vetëm me funksionin estetik letrar. Në rast se do të provonim që ta aplikonim skemën e Mukazhovskit mbi funksionet jashtestetike të veprës letrare (funksioni njohës, funksioni edukativ, funksioni moral, funksioni social dhe funksioni politik), do të përfundomin se intenca e Nolit, kur është fjala për funksionin jashtëletrar të poezisë së tij, ndërlidhet me funksionin politik. Përpjekja e tij që poezinë ta instrumentalizojë mund të shpjegohet me faktin se shumë nga poezitë e tij drejtpërdrejt marrin shkas, përkatësisht motivohen, nga zhvillimet politike, ndërsa retorika e tyre aq e shprehur është pasojë e intencionalitetit të autorit që ndërlidhet me sferat jashtëletrare. Mbase, duke e kuptuar poezinë vetëm si njërën nga format e luftës së tij të madhe dhe jo si një fushë të shkëlqimit të tij, Noli nuk i kishte çmuar atëbotë si shumë të vlershme dhe nuk qe kujdesur për to deri në botimin e librit “Mall e brengë”, më 1943.
Gjuha e poezive të Nolit
Njërën ndër arsyet e tingëllimit origjinal të poezisë së Nolit duhet kërkuar pikërisht te gjuha e saj e veçantë. Ai, duke qenë në kundërshti të plotë me krijuesit e poezisë shqipe të periudhës ndërmjet dy luftërave, me Asdrenin, Lasgushin, Fishtën etj., edhe në rrafshin programatik, por edhe në vetë krijimtarinë e tij në planin e angazhimit gjuhësor, ishte antipurist. Njëri ndër poliglotët tanë më të mëdhenj dhe ndër shqipëruesit më të mirë përgjithësisht, e kishte kuptuar faktin se shqipja, sikundër edhe secila gjuhë tjetër, do të varfërohej së tepërmi në qoftë se do të kufizohej vetëm në leksikun vetjak, andaj, si në krijime origjinale, ashtu edhe në përkthime, pa ngurrim përdor fjalë të huaja. Megjithatë, jo gjithnjë përdorimi i fjalës së huaj në shkrimet e Nolit mund të argumentohet me mungesën e fjalës së përshtatshme shqipe për ta shprehur një kuptim të caktuar, ngase, veçmas në poezi, shpesh përdorimi i fjalëve të huaja përbën një veprim të qëllimshëm të autorit. Kjo mund të pohohet më me bindje për poezitë e tij sarkastike. Kështu, duke përdorur fjalë të huaja, kryesisht orientalizma, dhe fjalë të vrazhda a të ashpra, Noli përpiqet që ta krijojë një harmoni ndërmjet intencës së krijimit të tij dhe gjuhës me të cilën e shpreh atë. Ja si e argumenton qëndrimin e tij lidhur me përdorimin e fjalëve të vrazhda: “Pasi t’i qërojmë nga fjalori ynë të gjitha fjalët e huaja u dashka të bëjmë edhe një qërim tjetër: u dashka të xjerrim me mashë çdo fjalë të fortë, të ashpër, të rreptë, të hidhur, të thartë, të shëmtuar dhe të lëmë brenda vetëm fjalë të buta, të ëmbëla dhe të bukura. Po ç’të bëjmë ahere, kur është nevojë e domosdoshme të përshkruajmë një gjë të fortë, të ashpër, të rreptë, të hidhur, të thartë, të shëmtuar?… Ahere nga eufemizma katili bëhet jetëdhënës, vjedhësi dhuronjës, maskarai i ndershëm, budallai i mençur, i poshtri i lartë”. Parimin e tij që gjërat t’i quajë me emrin e tyre të vërtetë Noli e zhvendos nga oratoria, publicistika, polemika etj. edhe në poezi. Mirëpo, është e kuptueshme se, në rast që fjalësi nolian nga këto sfera të angazhimit të tij, do të zhvendosej mekanikisht edhe në gjuhën e poezive të tij, atëherë me se do të dallonin ato nga llojet e përmendura të ligjërimit. Një rreziku të tillë poeti, me vetëdije, i shmanget nëpërmjet funksionalizimit dhe kontekstualizimit të fjalëve si pjesë të fjalësit të tij poetik.
Duke dashur që ta vërë në dukje mentalitetin e prapambetur të një vargu krijuesish të kohës, ai përdor barbarizma, kryesisht fjalë turke, për ta bërë shëmbëllimin ndërmjet idesë dhe fjalës edhe më bindës. Kështu, në pajtim me këtë intencë të poetit, kuvendi bëhet mexhlis, kryeministri sadrazem, republika xhumhuriet, urdhri a dekreti ferman etj. I bindur se Shqipëria, duke u shndërruar në monarki, kishte bërë një hap prapa, Noli nuk ngurron që t’i stolisë me epitete përçmuese dhe madje-madje edhe t’i fyejë bërësit e këtij akti. Fjalët e huaja, si: salep, mexhlis, hallvaxhi, hanxhar, ferman, kusar, sadrazem, firar, katran, sarhosh, zhumhuriet, ylefe etj. pothuajse janë unike si pjesë e fjalësit të një krijuesi në poezinë shqipe të kohës së tij të paktën. I veçantë andaj është edhe konteksti i përdorimit të tyre dhe mund të thuhet se në këtë pikëpamje ato janë funksionalizuar mjaft mirë edhe si fjalë bartëse të idesë së autorit – mjete shprehëse, por edhe si gjuhë, si funksionim ligjërimor i tyre. Se përdorimi i barbarizmave përbën një mjet të qëllimshëm dhe gjithsesi të realizuar, në këtë drejtim, mbase mund të bindemi po të tërheqim një paralele ndërmjet poezive “Kënga e Salep-Sulltanit” dhe “Jepni për Nënën”. E para, sikundër dihet, është e vërshuar nga fjalët e huaja, ndërsa në të dytën ato mungojnë pothuajse tërësisht. Pra, kemi të bëjmë me aspekte dedikimi: identifikimi i bartësve të mentalitetit të prapambetur me aspekte gjuhësore te poezia e parë; dhe kërkesa për ndihmë nënës – Shqipërisë drejtuar bijve të saj në Amerikë, e cila s’mund të bëhej ndryshe, përveçse me një shqipe të pastër. A mund të imagjinohet bartja e fjalësit të poezisë së parë tek e dyta apo edhe anasjelltas, sado që është fjala për të njëjtin krijues? Gjithsesi, jo. Ky krahasim hedh dritë jo vetëm mbi natyrën e veçantë të Nolit si krijues poezie dhe përgjithësisht si njeri, por edhe mbi karakterin intencional të veprës së tij, andaj për të lirisht mund të thuhet se është krijues që nuk robërohet nga poezia dhe që nuk i bindet asaj, përkundrazi mund të pohohet se ai e kishte shndërruar poezinë në një robëreshë të pikëpamjeve të tij të gjithmbarshme. Sado që e instrumentalizon artin e tij poetik, madje edhe në luftën e tij me kundërshtarë politikë, Noli ia jep hakun poezisë e paradoksalisht, nga ana tjetër, e lartëson atë dhe përfundimisht nuk mund të thuhet saktësisht se kush nga kjo doli më i fituar. Ndoshta këtë situatë kundërthënëse më së miri e qartëson mendimi i editorit të tij, Mitrush Kuteli, i cili në parathënien e librit “Mall e brengë”, që më 1943, kishte konstatuar: “Fan S. Noli bëhet poet, pa i thënë vetes poet”.
Duke përfunduar…
Koncepti nolian për fjalën poetike shëmbëllimin e vet do të mund ta gjente më mirë se kudo tjetër në pikëpamjen e Viktor Hygoit, i cili përkitazi me këtë pohonte: “Fjala është krijesë e gjallë, më e fortë madje edhe se ai që e ka përdorur atë”. I bindur se shumëçka të synuar nuk e kishte arritur me veprimtarinë e tij prej politikani dhe me zotësinë oratorike, pas tërheqjes nga politika, Noli misionin e luftës së tij të humbur tashmë ia beson poezisë, duke shpresuar se fjala e krijimeve poetike do t’ia kalonte angazhimit të tij. Prandaj ai është konsideruar fjalëvrazhdë dhe për këtë shkak gjuha e poezisë së tij tingëllon e ashpër, sepse i tillë ishte misioni që ia kishte besuar krijuesi asaj: ta fitonte luftën e humbur. Një aspekt tjetër i veçantisë poetike të Nolit ka të bëjë me aspektet biblike e mitike të përfshira në poezitë e tij. Ndër figurat e mendimit edhe antiteza është ndër përbërësit identifikues të kësaj krijimtarie. Noli ka krijuar antiteza ndër më të bukurat përgjithësisht në poezinë shqipe. Poezia e Nolit shquhet edhe për vlerat tingëlluese që ka dhe veçmas për figurat e përsëritjes. “Sa për poezitë e mia, unë nuk merakosesha shumë për to. Mendoja se ato nuk vlenin fare. Zakonisht i botoja nëpër gazeta dhe i harroja fare.”[5] – kishte pohuar Noli një herë lidhur me poezitë e tij. Megjithatë, u dëshmua se ai mbeti njëri ndër poetët tanë që e shënoi periudhën kur i krijoi ato pak poezi dhe kjo arritje e tij ka të bëjë me mënyrën se si e shkroi poezinë, që për shumëçka ishte e veçantë.
[1] Rexhep Qosja, Fan Noli dhe modeli kritik i kulturës, “Rilindja” e datës 20 mars 1982, f. 14.
[2] Historia e letërsisë shqiptare, hartuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, “Rilindja”, 1989, f. 500.
[3] Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, përktheu nga anglishtja Abdurrahim Myftiu, “Dukagjini”, Tiranë – Pejë, 1997, f. 278.
[4] Botuar në Fan S. Noli – në 100-vjetorin e lindjes 1882-1982, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1984, f. 59-69.
[5] Fan S. Noli, Vepra 5, Akademia e Shkencave e RSP të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1988, f. 287.



