Rubio: Hapat e Izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor kërcënojnë marrëveshjen e armëpushimit në Gaza

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, paralajmëroi të mërkurën se Izraeli po “kërcënon” marrëveshjen e armëpushimit në Gaza të propozuar nga presidenti Donald Trump, pasi parlamenti i tij ndërmori një hap drejt aneksimit të pjesëve të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

“Mendoj se presidenti e ka bërë të qartë që kjo nuk është diçka që ne mund ta mbështesim tani. Dhe ne mendojmë se kjo është madje kërcënuese për marrëveshjen e paqes”, u tha Rubio gazetarëve para se të nisej për në Izrael.

“Ata janë një demokraci. Ata do të kenë votat e tyre. Njerëzit do të marrin këto qëndrime. Por në këtë kohë, ne mendojmë se mund të jetë kundërproduktive”, shtoi ai.

Paralajmërimi erdhi pasi parlamenti izraelit, ose Knesseti, miratoi dy projektligje të lidhura me aneksimin në një lexim paraprak të mërkurën. Të dy draftet duhet të kalojnë tri lexime shtesë për t’u bërë ligj.

Vota erdhi pavarësisht kundërshtimit nga presidenti Trump, i cili tha muajin e kaluar se nuk do ta lejonte Izraelin të aneksonte Bregun Perëndimor. Kjo ndodhi gjithashtu gjatë vizitës së nënpresidentit JD Vance në Izrael, si pjesë e një përpjekjeje diplomatike të SHBA-së për të ruajtur armëpushimin në Gaza, i cili hyri në fuqi më 10 tetor.

Aneksimi i Bregut Perëndimor do t’i jepte fund në mënyrë efektive mundësisë së zbatimit të një zgjidhjeje dyshtetërore për konfliktin palestinezo-izraelit, siç përcaktohet në rezolutat e OKB-së.

Sulmet izraelite janë përshkallëzuar në gjithë Bregun Perëndimor që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë më shumë se 1.056 palestinezë dhe duke plagosur mbi 10.300, ndërsa më shumë se 20.000 të tjerë janë ndaluar, sipas shifrave palestineze.

Në një mendim historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit 20-pikësh në Gaza u arrit midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas në fillim të këtij muaji, bazuar në një plan të paraqitur nga Trump. Faza e parë përfshinte lirimin e robërve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani gjithashtu parashikon rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button