OpenAI prezanton shfletuesin e internetit “ChatGPT Atlas”

Kompania “OpenAI”, e njohur për produktin e saj kryesor ChatGPT, prezantoi të martën një shfletues interneti të fuqizuar nga inteligjenca artificiale, për të sfiduar konkurrentët si Google, transmeton Anadolu.

Shfletuesi, me emrin ChatGPT Atlas, është bërë i disponueshëm në sistemin operativ macOS të Apple dhe së shpejti do të lançohet edhe për Windows, iOS dhe Android. Në një deklaratë, OpenAI e përshkroi atë si “shfletues me ChatGPT të integruar”.

“Një shfletues i ndërtuar me ChatGPT na afron më shumë drejt një superasistenti të vërtetë që e kupton botën tënde dhe të ndihmon të arrish qëllimet e tua”, thuhet në njoftimin për media në faqen e kompanisë.

“Me Atlas, ChatGPT mund të të ndjekë kudo në internet, duke të ndihmuar drejtpërdrejt në dritaren ku ndodhesh, duke kuptuar çfarë po përpiqesh të bësh dhe duke kryer detyra për ty, pa pasur nevojë të kopjosh e ngjisësh apo të lësh faqen. Kujtesa jote në ChatGPT është e integruar, kështu që bisedat mund të bazohen në bisedat e mëparshme dhe në detaje për të të ndihmuar të realizosh gjëra të reja”, shkruan kompania.

Shfletuesi është i disponueshëm për përdoruesit Free, Plus, Pro dhe Go të ChatGPT-së.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se ChatGPT mund të funksionojë në Atlas në modalitetin “agent”, me përmirësime që e bëjnë më të shpejtë dhe më të dobishëm duke punuar në kontekstin e shfletimit tënd. Ky modalitet është i disponueshëm në fazën e provës për përdoruesit Plus, Pro dhe Business.

Më herët këtë muaj, shefi ekzekutiv i OpenAI-së, Sam Altman, deklaroi se ChatGPT kishte arritur 800 milionë përdorues aktivë çdo javë, nga 400 milionë në muajin shkurt.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button