Nga 2026, Gjermania heq kufizimet për pensionistët që duan të punojnë

Nga viti 2026, Gjermania do të zbatojë një reformë të re në sistemin e pensioneve, duke prezantuar “pensionin aktiv”, model i cili do t’u lejojë pensionistëve që të zgjedhin të vazhdojnë të punojnë edhe pas moshës zyrtare të pensionit dhe të fitojnë deri në 2000 euro në muaj pa taksa.

Ministrja e Punës, Barbel Bas, e ka përkufizuar “pensionin aktiv” si nxitje që synon të mbajë punëtorët me përvojë në tregun e punës.

Ajo ka theksuar se kushdo që zgjedh vullnetarisht të vazhdojë punën pas pensionit, duhet të ketë kushte të favorshme për ta bërë.

Ajo shtoi se qeveria do të heqë ndalimin e mëparshëm për punësim, i cili i ka penguar pensionistët të kthehen në vendet e tyre të mëparshme të punës.

“Është kundërproduktive që punonjësit që kanë dashur të vazhdojnë punën pas pensionit nuk u lejohej të ktheheshin te punëdhënësi i tyre i mëparshëm”, ka thënë ajo, raportoi “Euronews”.

Disa shtete anëtare të BE-së lejojnë ose inkurajojnë punën përtej moshës së pensionit, por zakonisht nëpërmjet normave më të ulëta të tatimit mbi të ardhurat për të moshuarit.

Sektorët si inxhinieria, transporti, shëndetësia dhe administrata publike, që përballen me mungesë personeli, do të kenë mundësi të mbajnë ekspertët dhe punonjësit me përvojë falë heqjes së barrierave ligjore dhe përjashtimit nga tatimi deri në 2,000 euro në muaj.

Për pensionistët kjo do të thotë se mund të vazhdojnë punën me kohë të pjesshme dhe në të njëjtën kohë të marrin edhe pensionin që u takon.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button