NATO: Aleanca po rrit prodhimin e armëve dhe sistemeve ajrore

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se aleanca po rrit prodhimin e armëve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore në kuadër të një programi të ri mbështetjeje ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja prej 2.2 miliardë dollarësh për Ukrainën, transmeton Anadolu.
Duke folur me gazetarët përpara një takimi të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s në Bruksel, Rutte tha se aleatët po “rrisin prodhimin industrial të mbrojtjes për t’u siguruar që Ukraina të jetë sa më e fortë, duke qëndruar në luftë”. Ai tha se ministrat do të trajtojnë incidentet e fundit me dronë dhe hapat për të forcuar mbrojtjen ajrore të NATO-s. “Kjo do të jetë një ditë e rëndësishme”, shtoi ai.
Rutte theksoi se diskutimet e ditës do të përfshijnë një seancë të Këshillit NATO-Ukrainë me ministrin e Mbrojtjes të Ukrainës, Denys Shmyhal dhe një grupi kontakti për mbrojtjen e Ukrainës, të kryesuar nga ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey.
Ai theksoi programin e ri të udhëhequr nga SHBA-ja të nisur në gusht, përmes të cilit aleatët tashmë kanë angazhuar 2.2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake vdekjeprurëse dhe jovdekjeprurëse për Kievin.
“Kjo përfshin sistemet e mbrojtjes ajrore dhe interceptorët, thelbësorë për të mbrojtur popullsinë civile dhe infrastrukturën e Ukrainës nga sulmi i vazhdueshëm rus”, tha ai. Rutte theksoi se BE dhe NATO po punojnë ngushtë së bashku, duke thënë se nuk ka “dyfishim përpjekjesh”.
“Ky kombinim është thelbësor dhe Rusia nuk ka arritur të na ndajë”, vuri në dukje ai. Lidhur me shkeljet e hapësirës ajrore ruse, Rutte nënvizoi se NATO mbetet plotësisht e aftë të mbrojë territorin aleat. “Nëse një avion rus hyn në hapësirën ajrore të NATO-s dhe përbën kërcënim, ne do të veprojmë. Nëse jo, ai do të shoqërohet jashtë. Një aleancë e fortë e di kur të veprojë me vendosmëri dhe kur të ulë tensionet”, tha ai.
Duke hedhur poshtë pretendimet se ndihma ushtarake aleate ka rënë, Rutte tha se nivelet e ndihmës mbeten të qëndrueshme krahasuar me vitin e kaluar. “Rusët menduan se do ta fitonin këtë luftë brenda tre javësh. Tani, gati katër vjet më vonë, ata kanë humbur 1 milion njerëz, të vrarë ose të plagosur rëndë dhe kanë fituar vetëm territor minimal”, tha ai.