Anija turke e ndihmave do të dërgojë ushqime dhe qumësht për foshnja në Gaza

Një anije ndihmash e quajtur “Mirësia” është nisur nga porti Mersin në Turqi, duke bartur 900 tonë ushqime dhe formulë për foshnja për popullin e Gazës, njofton agjencia Anadolu.
Ngarkesa humanitare është organizuar nga Autoriteti Turk për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) në bashkëpunim me 17 organizata joqeveritare dhe me Gjysmëhënën e Kuqe të Egjiptit, në një kohë kur qeveria turke është bërë një nga mbështetëset kryesore të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, duke luajtur edhe rolin e ndërmjetësuesit.
Turqia ka një histori të gjatë mbështetjeje për flotilat humanitare të Gazës, përfshirë edhe Mavi Marmara-n, e cila u sulmua nga komandot izraelite në vitin 2010, duke rezultuar me vrasjen e 10 shtetasve turq.
Ndryshe nga flotilat e mëparshme që kanë tentuar të thyejnë bllokadën izraelite duke lundruar drejtpërdrejt në Gaza, “Mirësia” do ta dërgojë ndihmën në Rripin e Gazës përmes portit të El Arishit në Egjipt.