Komisioni i Venedikut propozon që Prokurori Publik të zgjidhet dhe shkarkohet me shumicë të kualifikuar në Kuvend

Komisioni i Venedikut dhe Drejtoria e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut e Këshillit të Europës rekomandojnë që Prokurori Publik të zgjidhet dhe të shkarkohet me shumicë të kualifikuar në Kuvend, ndërsa Kushtetuta të ndryshohet për të kufizuar mundësinë e rizgjedhjes së tij.
Në mendimin e dhënë theksohet nevoja që gjatë përzgjedhjes të vlerësohen jo vetëm aftësitë profesionale, por edhe ato menaxheriale dhe organizative të kandidatëve.
Komisioni rekomandon gjithashtu më shumë transparencë gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë, pezullimin e funksionit të prokurorëve sa kohë që janë anëtarë të Këshillit, si dhe masa shtesë për mbrojtjen e autonomisë së Prokurorisë.
Sipas propozimit, anëtarët aktualë do ta përfundojnë mandatin e tyre deri në skadimin e afatit ligjor.