Ibrahimi nga Dibra: Sonte u ndie britma e shpresës, zëri i vendosmërisë, thirrja e ndryshimit!

Në një tubim madhështor të mbajtur në zemër të Dibrës, njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka shpallur me entuziazëm mesazhin e ndryshimit dhe shpresës për këtë vend të lënë pas dore nga pushtetet e kaluara.
“Sonte, në tubimin madhështor në zemër të Dibrës, së bashku me krerët e VLEN, u ndie fuqia e një populli që nuk pranon më të heshtë. U ndie britma e shpresës, zëri i vendosmërisë, thirrja e ndryshimit!”, deklaroi Ibrahimi.
Ai kritikoi ashpër qeverisjet e mëparshme, të cilat sipas tij, e kanë anashkaluar Dibrën në mënyrë të turpshme, duke e lënë pa zhvillim, investime e kujdes institucional.
“Për shumë vite, Dibra ka qenë e harruar. Kanë shuar ëndrra, kanë ngrirë projekte, kanë varfëruar një trevë me histori të artë. Por Dibranët nuk dorëzohen! Ata ngrenë kokën lart dhe vendosin vetë për fatin e tyre,” shtoi ai.
Ibrahimi u zotua se pas 19 tetorit, situata do të ndryshojë rrënjësisht.
“Pas 19 Tetorit, kjo padrejtësi do të marrë fund. Dibra nuk do të jetë më periferi e harruar, por një qendër zhvillimi, një vatër ekonomike, një vend ku rinia sheh të ardhmen, jo vetëm të shkuarën”, deklaroi Ibrhaimi.
Në përmbyllje, ai i dha mbështetje kandidatit të VLEN-it për komunën, Fisnik Melës, duke e cilësuar atë si simbol të vizionit të ri që i duhet Dibrës.
“Me Fisnik Melën në krye, ne nuk po zgjedhim vetëm një kryetar, po zgjedhim një vizion të ri. Një kryetar që e njeh çdo rrugicë të Dibrës, që i kupton hallet e njerëzve, që nuk flet nga kulla e lartë e pushtetit, por nga zemra, me përulësi dhe përgjegjësi. Rrethoni numrin 7, për ndryshimin që ia VLEN!”, tha Ibrhaimi.