Ali Ahmeti përsërit narrativën e Beogradit: Kurti, “rrezik” për Maqedoninë!

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka shpërthyer me akuza të rënda ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e sulmuar për mbështetjen e supozuar ndaj politikave të kryeministrit maqedonas Kristian Mickoski. Në një intervistë për Euronews Albania, Ahmeti deklaroi se degradimi i pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut po ndodh edhe për shkak të qëndrimeve të Kurtit.
“Pse Albin Kurti merr anën e Mickoskit? Ka marrë anë hapur! Nuk më pengon bashkëpunimi me të gjithë në Kosovë e Shqipëri, por kurrë nuk kam zgjedhur palë.
Na duhen marrëdhënie të mira me të dyja shtetet shqiptare. Kurti për fat të keq ka zgjedhur të mbështesë politikisht Mickoskin dhe politikat e tij antishqiptare. Për muaj të tërë mediat në Shkup u morën me Korridorin 8, duke na akuzuar se po ndërtohej ‘Shqipëria e Madhe’”, tha Ahmeti.
Por këto akuza të Ahmetit nuk janë të reja, ato përkojnë plotësisht me narrativën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Edhe Vuçiq prej kohësh sulmon Kurtin me të njëjtin fjalor, duke e paraqitur si “rrezik” dhe duke e akuzuar për projekte të “Shqipërisë së Madhe”. Në këtë mënyrë, Ali Ahmeti sot po përsërit fjalët e Beogradit, duke e vënë veten në të njëjtën linjë me politikat e Vuçiqit.
Nuk duhet harruar se në kohën kur Kurti mbështeste koalicionin VLEN dhe kur Vuçiqi shprehej i frikësuar nga ndryshimi politik në Shkup, Ali Ahmeti zgjodhi të mbrojë status quo-në. Sulmet e tij të sotme janë dëshmi se BDI po përforcon indirekt narrativën e Beogradit, në vend se të mbrojë interesin e shqiptarëve.