Rezoluta/ LSDM-ja, propozim për linjat e kuqe

Rezoluta e paralajmëruar nga kreu i opozitës maqedonase Venko Filipçe mori formën e një drafti i cili do t’u shpërndahet partive politike dhe pas zgjedhjeve do të diskutohet në Kuvend. Kreu i LSDM-së thotë se është i vetëdijshëm se vendi ndodhet në periudhë parazgjedhore por u bën thirrje partive politike të mos e keqpërdorin rezolutën.

Ndër çështjet kryesore që përmban ajo është respektimi i veçantisë identitare dhe zbatimi i ndryshimeve kushtetuese.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë institucionet shtetërore deri në fund respektojnë përcaktimin për respektimin e pakusht të veçantive gjuhësore, identitare, historike dhe kulturore të popullit maqedonas si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Këto janë linjat tona të kuqe dhe besoj se duhet të jenë linjat e kuqe për të gjithë popullin. Vendi është i gatshëm të zbatojë të gjitha detyrimet nga korniza negociuese me BE-në, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese me përcaktim të qartë se kjo është pengesa e fundit pa u pranuar kërkesa të tjera ose gjëra të karakterit bilateral ose identitar”, u shpreh Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.

Filipçe, që kohë më parë kishte thënë se në rast të prekjes së identitetit gjatë negociatave, rezoluta do të parashikojë ndërprerjen e negociatave të anëtarësimit, tani propozon formulim të ri.

“Nëse gjatë negociatave për anëtarësim në BE nga ana e institucioneve evropiane ose nga një shtet anëtar i BE-së hapet tema me të cilën problematizohet gjuha maqedonase ose karakteristikë tjetër identitare ose nëse procesi negociues bllokohet për shkak të çështjeve identitare ose me kërkesa që janë jashtë kornizës negociuese ose nuk janë pjesë e kritereve të Kopenhagës, atëherë me letër të përbashkët Presidenti, Kuvendi dhe Qeveria kanë të drejtë të njoftojnë të gjithë institucionet Evropiane se nevojitet respekt pa kushte i karakteristikave identitare për të cilat nuk negociohet”, theksoi Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.

Filipçe thotë se Rezoluta është e nevojshme që procesi të ecë përpara duke akuzuar qeverinë për ngecjen e reformave nga agjenda reformuese.

“Ne mund të flasim për “Të drejtat themelore”, etj. etj. Por pyetja është çfarë ndodh te ne për momentin. Shikoni çfarë ndodh në Shqipëri, mendoj se janë hapur të gjithë kapitujt, shemben ndërtime jolegale, futet inteligjenca artificiale në secilin sektor, ne nuk bëjmë asgjë. Ja një propozim për hapin e parë. E para është e rëndësishme ta dimë se çfarë bëjmë ne dhe pastaj shumë lehtë mund të luftojmë me secilin nga jashtë nëse ne jemi të bashkuar”, tha Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.

Bashkë me Rezolutën, Kuvendit do t’i propozohet edhe ligj për Rolin e Kuvendit dhe të trupave punues në procesin e eurointegrimeve, si mekanizëm për respektimin e zotimeve të dala nga Rezoluta.

Draft Rezoluta përmban dhe kornizë kohore e cila parashikon dorëzimin e testit të ndryshimeve Kushtetuese në Kuvend në gjysmën e dytë të muajit nëntor kurse procesi të mbyllet deri më 10 shkurt. Në të gjithashtu parashikohet që qeveria të ftojë Komisionin Evropian për hapjen e kapitullit të parë “Themeloret” jo më vonë se 15 shkurti. Filipçe thotë se është i gatshëm të modifikojë edhe afatet në bashkëpunim me partitë e tjera politike. / Alsat.mk

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button