Mexhiti: Do të restaurohet monumenti i çmuar i arkitekturës osmane në Shkup, “Shengyl Hamami”

Kandidati i koalicionit VLEN, për këtë komunë, Izet Mexhiti, ka vizituar “Shengyl Hamam”, nga ku informoi se ai objekt do të restaurohet. Mexhiti tha se Çairi do të jetë vatër e kulturës.
“Investimi në ruajtjen dhe zhvillimin e institucioneve kulturore e historike është një nga themelet më të rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie dhe edukimin e saj. Pa kujdes për trashëgiminë tonë, nuk mund të projektojmë të ardhmen.
Në këtë drejtim, një nga projektet më të rëndësishme që kam ndërmarrë është restaurimi i monumentit të çmuar të arkitekturës osmane në Shkup, “Shengyl Hamami”. Ky objekt historik, i cili përfaqëson vlera të rralla të identitetit dhe trashëgimisë sonë, do të marrë jetë të re përmes një projekti të plotë restaurimi dhe ri-destinimi.
Pas rikonstruksionit, “Shengyl Hamami” do të shndërrohet në një qendër bashkëkohore kulturore, e cila do të jetë vend për art, muzikë, letërsi dhe krijimtari. Në të do të gjejnë vend Shoqata “Yeni Yol”, me traditë mbi shtatë dekada në ruajtjen e kulturës dhe gjuhës turke, si dhe Shoqata “Lilian”, shtyllë e kulturës boshnjake për më shumë se një dekadë. Kështu, ky monument do të bëhet një hapësirë ku takohen brezat, idetë dhe kulturat.
Ky është vizioni ynë, të forcojmë identitetin kulturor, të gjallërojmë Çarshinë dhe të pozicionojmë Çairin si një qendër urbane dhe kulturore të rëndësishme për gjithë qytetin”, ka deklaruar Mexhiti.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button