Begaj: Shqipëria është plotësisht e angazhuar si një aleate e NATO-s

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministri Edi Rama kanë zhvilluar takime të ndara me komandantin e Komandës Evropiane të ShBA-së dhe komandantin suprem të Forcave Aleate për Evropën, gjenerali Alexus Grynkewich, transmeton Anadolu.
Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Begaj ka shkruar se Shqipëria mbetet e përkushtuar për t’i forcuar marrëdhëniet e saj me ShBA-në dhe sipas tij është plotësisht e angazhuar si një aleate e NATO-s.
“Ne e vlerësojmë thellësisht praninë e ShBA-së në rajon, duke e konsideruar atë thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Begaj.
Në një njoftim nga Ambasada e ShBA-së në Tiranë të publikuar në rrjetet sociale thuhet se Grynkewich është takuar edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe zyrtarë të tjerë.
“Në konferencën me udhëheqësit ushtarakë të vendeve të Kartës së Adriatikut dhe në takimet e tij dypalëshe, gjenerali Grynkewich shprehu optimizëm për angazhimin rajonal në ndarjen e përgjegjësive në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimit dhe stabilitetit”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Grynkewich vizitoi Shqipërinë në kuadër të Konferencës së 28-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës ShBA-Karta e Adriatikut (A-5).