Hovenier: Dialogu Prishtinë-Beograd mbyllet me njohjen e Kosovës!

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, e bëri të qartë se Uashingtoni pret që gjatë vitit 2024 Kosova dhe Serbia të zbatojnë plotësisht marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, e këtu përcolli dhe një mesazh për veshët e Beogradit: Dialogu duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë mes dy shteteve.
“Në 2024, shpresojmë të shohim një përparim real, duke përfshirë Serbinë që ndërmerr hapa të rëndësishëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj sipas kësaj marrëveshjeje, si dhe Kosovën që gjithashtu i përmbush detyrimet e saj, përfshirë këtu lëvizjen drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Përfundimisht, ky proces i normalizimit përmbyllet me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, teksa të dyja vendet kërkojnë të përmbushin rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Zbatimi i Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të zbatimit paraqet një hap madhor drejt asaj të ardhmeje”, u shpreh Hovenier.
Kosova dhe Serbia e arritën në 27 shkurt në Bruksel, Marrëveshjen Bazë, dhe paskësaj në Ohër u pajtuan edhe me Aneksin e zbatimit të saj, i cili megjithatë, nuk ka filluar ende.



