Mexhiti: Me krenari prezantojmë investimin 35 milionësh për kampusin e ri të Univesritetit “Nënë Tereza”

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, në një konferencë për media ka prezantuar vizionin e tij për arsimin e lartë, duke theksuar rëndësinë e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.

“Sot, me krenari e prezantojmë investimin më të madh në arsimin e lartë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut: kampusin e ri të Universitetit ‘Nënë Tereza’, me vlerë mbi 35 milionë euro,” tha Mexhiti.

Ai theksoi se ky investim nuk është vetëm infrastrukturor, por mbi të gjitha është një investim në të ardhmen e të rinjve dhe në dijen:

“Universiteti ‘Nënë Tereza’ sot është një institucion me rëndësi kombëtare për shqiptarët, por njëkohësisht edhe një universitet me rol rajonal dhe perspektivë evropiane.”

Mexhiti vuri në dukje se Çairi tashmë po konsolidohet si një qendër akademike dhe kulturore:

“Me këtë kampus të ri, po përmbyllim një kapitull të rëndësishëm dhe po e hapim tjetrin: Çairi si një qendër akademike dhe kulturore, ku gravitojnë katër universitete, qindra profesorë dhe mijëra studentë.”

Duke iu përgjigjur skepticizmit të dikurshëm për këtë projekt, ai u shpreh:

“Sot të rinjtë tanë nuk kanë më nevojë të kërkojnë dije jashtë vendit – sepse e kanë këtu, në shtëpinë e tyre, në gjuhën e tyre amtare.”

Një nga synimet kryesore të projektit, sipas tij, është ndalja e emigrimit:

“Nëse të rinjtë kanë një universitet cilësor në vendin e tyre, nuk do të kenë arsye të largohen. Do të qëndrojnë këtu, do të studiojnë këtu, do të krijojnë këtu.”

Ai theksoi gjithashtu vizionin për ndërkombëtarizim:

“Ky kampus duhet të bëhet qendër e inovacionit, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Një universitet që zhvillon programe konkurruese në nivel evropian dhe hap dyert për diploma të dyfishta.”

Në përfundim të fjalës së tij, Mexhiti shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë projekt:

“Së bashku kemi dëshmuar se arsimi në gjuhën shqipe nuk është luks, por e drejtë dhe realitet.”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button