Aneksimi i Bregut Perëndimor: EBA paralajmëron Izraelin për prishje të Marrëveshjeve të Abrahamit

Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë paralajmëruar Izraelit se çdo përpjekje për të aneksuar pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar do të kalonte një “vijë të kuqe” për Abu Dabin dhe do të rrezikonte prishjen e Marrëveshjeve të Abrahamit, të cilat formalizuan marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Që nga fillimi, ne i kemi parë marrëveshjet si një mënyrë për të mundësuar mbështetjen tonë të vazhdueshme për popullin palestinez dhe aspiratën e tyre legjitime për një shtet të pavarur,” tha Lana Nusseibeh, zëvendësministre për Çështje Politike dhe e dërguara e ministrit të jashtëm të Emirateve, në një prononcim për Reuters.
“Kjo ishte pozita jonë në vitin 2020 dhe mbetet pozita jonë edhe sot,” shtoi ajo, duke dhënë kështu kritikën më të ashpër të Abu Dabit ndaj politikave izraelite që nga shpërthimi i luftës në Gaza në vitin 2023.
Marrëveshjet e Abrahamit, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara gjatë mandatit të parë të Presidentit Donald Trump, sollën njohjen diplomatike mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Marokut.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë izraelite të pezullojë këto plane,” tha Nusseibeh. “Ekstremistët, të çfarëdo lloji, nuk mund të lejohen të diktojnë drejtimin e rajonit. Paqja kërkon guxim, këmbëngulje dhe refuzim për të lejuar që dhuna të përcaktojë zgjedhjet tona.”



