6 palestinezë të tjerë të Gazës, përfshirë 2 fëmijë, vdesin nga uria mes bllokadës izraelite

Gjashtë palestinezë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur nga uria në Rripin e Gazës brenda 24 orëve të fundit mes bllokadës izraelite, transmeton Anadolu.
“Spitalet regjistruan gjashtë vdekje të reja në 24 orët e fundit për shkak të urisë dhe kequshqyerjes, përfshirë dy fëmijë të rraskapitur nga uria”, tha Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza.
Vdekjet e reja e çuan numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga uria në Gaza që nga tetori i vitit 2023 në të paktën 133, përfshirë 87 fëmijë.
“Këto shifra pasqyrojnë ndikimin katastrofik të bllokadës së vazhdueshme izraelite dhe parandalimin e shpërndarjes së ushqimit dhe ndihmës në Gaza”, tha ministria.
Izraeli ka vendosur një bllokadë në Gaza për 18 vjet, por që nga 2 marsi ka mbyllur të gjitha kalimet, duke bllokuar hyrjen e konvojeve me ndihma dhe duke injoruar thirrjet ndërkombëtare për t’i rihapur ato.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka ndërmarrë një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 59.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.