5600 banorë të RMV-së kanë vdekur për një vit nga ndotja e ajrit

Maqedonia kryeson listën e vdekjeve nga ndotja e ajrit. Agjencia Evropiane e Mjedisit publikoi një raport për vitin 2021, sipas të cilit për një vit nga ndotja e ajrit kanë vdekur 5600 banorë të RVM-së. Sipas ekspertëve, ky raport është më katastrofiki deri më tani, përcjell FLAKA.
“Krahasuar me një vit më parë është një rritje dramatike me rreth 30%. Nëse krahasohemi me vitet paraprake kur kishim rreth 3-3,5 mijë, pothuajse e kemi dyfishuar numrin e vdekjeve, që për Maqedoninë është katastrofike”, thotë Eli Pesheva nga Iniciativa O2.
Sipas aktivistëve, është gjithashtu katastrofike që institucionet e Maqedonisë nuk mbajnë statistika zyrtare për vdekjet si pasojë e ndotjes së lartë të ajrit.
Raporti i Agjencisë thotë se 253,000 njerëz në Bashkimin Evropian kanë vdekur në vitin 2021 si pasojë e ndotjes së ajrit me grimcat PM 2.5. Niveli i ndotjes në BE është ende shumë më i lartë se sa kërkohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Megjithatë, në raportin e Agjencisë thuhet se nga viti 2005 deri në vitin 2021, numri i vdekjeve si pasojë e grimcave të dëmshme PM 2.5 është ulur me 41%.
Ekspertët evropianë thonë se ndotja e ajrit është shkaku i sëmundjeve vdekjeprurëse dhe mendore.
“Kemi sëmundje kardiovaskulare, goditje në tru, sëmundje të zemrës, diabet, por kemi edhe sëmundje mendore si demenca apo Alzheimer. Ky është një lajm që vjen nga kërkimet epidemiologjike”, thotë eksperti i EEA Alberto González Ortiz.
Përveç vdekshmërisë së lartë, ndotja e ajrit ndikon edhe në cilësinë e jetës.
“Fatkeqësisht, ndotja e ajrit ka ndikim në jetën e përditshme të njerëzve. Për shembull, kur flasim për astmën apo diabetin, e dimë se ndotja e ajrit është shkaku i këtyre sëmundjeve. Njerëzit duhet të jetojnë me këto sëmundje çdo ditë, për shumë vite dhe shumë dekada. Kjo ndikon në cilësinë e jetës së tyre, veçanërisht në atë që ata mund të bëjnë në ditët kur ka ndotje të madhe. Nuk është vetëm vdekshmëria, është edhe cilësia e jetës”, thotë eksperti i EEA, Ian Marnan.
Vitet e fundit, ndotja e ajrit ka qenë vazhdimisht ndër temat kryesore në periudhën e dimrit. Deri më tani politikanët kanë paralajmëruar se ndotja do të jetë prioriteti i tyre, por asgjë nuk po ndodh në terren. Maqedonia nuk ka as strategji për uljen e ndotjes së ajrit. Po ashtu, në Buxhetin e vitit të ardhshëm, sipas ekspertëve, do të ketë edhe më pak para për këtë çështje që prek jetën e të gjithë qytetarëve në këtë vend.
“Tani kemi disa informacione, pikërisht në këtë periudhë të vitit kur përgatitet buxheti për vitin e ardhshëm, se do të jemi sërish në rekord, që do të thotë se do të kemi buxhetin më të ulët për mjedisin në historinë e këtij vendi, që tregon një qëndrim klasik injorant”, thotë Pesheva. FLAKA



