27-vjetori i betejës që e shembi kufirin ndërshqiptar

Beteja e Koshares përkujtohet të enjten, në 27-vjetorin e zhvillimit të asaj që konsiderohet të jetë njëra prej betejave më të mëdha që ka realizuar UÇK-ja gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Në Betejën e Koshares janë vrarë 114 luftëtarë të Brigadës 138 të UÇK-së, e janë plagosur edhe mbi 400 ushtarë nga forcat serbe.
Ky përvjetor të mërkurën e 9 prillit 2026 do të nisë me manifestimin “Ditët e Shqipes”, i cili organizohet nën patronatin e ushtrues së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Do të kryhen edhe homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare, Gjakovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e fillimit të kësaj beteje duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme të luftës çlirimtare dhe përpjekjeve për bashkimin kombëtar.

Kurti rikujtoi se më 9 prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) sulmuan pozicionet ushtarake serbe në brezin kufitar mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, me synimin për të shembur kufirin që për dekada ndante shqiptarët.

“Beteja e Koshares nisi dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s dhe zgjati deri në përfundim të tyre, duke u shndërruar në një nga përballjet më të ashpra në terren malor,” theksoi Kurti.
Ai vuri në pah se gjatë kësaj beteje, mijëra pjesëtarë të UÇK-së luftuan për dy muaj rresht, ndërsa 114 prej tyre ranë dëshmorë dhe mbi 400 të tjerë u plagosën.

Sipas tij, UÇK-ja, si një ushtri vullnetarësh gjithëkombëtarë, u bë aleate e NATO-s në ndaljen e fushatës së spastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës nga regjimi i atëhershëm i Serbisë.

Kryeministri Kurti theksoi se çdo pranverë kujtohen me nderim të gjithë luftëtarët që kontribuuan në këtë betejë historike, duke dhënë gjithçka për lirinë e vendit.

“Lavdi u qoftë dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares, sot e përmot,” përfundoi Kurti.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka përkujtuar 27-vjetorin e nisjes së Betejës së Koshares, duke e cilësuar atë si një nga momentet më historike të luftës çlirimtare.

“Nga ky mëngjes e deri në çlirimin e plotë, kjo betejë e turpëroi skajshëm ushtrinë serbe, ndërsa kombi ynë u pasurua me shumë heronj të kësaj beteje”, ka theksuar Haradinaj.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button