25 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, SHBA-ja i kërkon Serbisë drejtësi

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, ka kërkuar nga Serbia që ta përfundojë hetimin dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për vdekjen e vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi.

Në 25-vjetorin e vrasjes së tyre, Miller i ka kujtuar vëllezërit, duke thënë se autorët e aktit brutal mbeten ende të lirë.

“25 vjet më parë, shtetasit amerikanë Ylli, Agroni dhe Mehmet Bytyqi u vranë në paraburgimin e policisë serbe. Sot, autorët e këtij akti brutal mbeten të lirë. Ne i bëjmë thirrje Serbisë sërish që të përfundojë hetimin e saj dhe të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për vdekjen e tyre”, ka shkruar Miller në platformën “X”.

Me rastin e këtij përvjetori ka shkruar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo e ka akuzuar Serbinë, duke thënë se po vazhdon t’i lavdërojë kriminelët e luftës.

“Familja e Yllit, Agronit, dhe Mehmet Bytyqit, qytetarë amerikanë të vrarë brutalisht 25 vjet më parë, ende kërkojnë drejtësi. Edhe sot e kësaj dite, regjimi i Serbisë vazhdon të lavdërojë kriminelët e luftës, në vend që t’i mbajë ata përgjegjës. Nuk do të pushojmë derisa keqbërësit të përballen me drejtësinë”, ka thënë ajo.

Vëllezërit Bytyqi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë qenë shtetas të SHBA-së.

Ata ishin arrestuar nga shteti serb në fund të qershorit të vitit 1999, pasi kishin kaluar gabimisht kufirin teksa po përcillnin një familje rome nga Prizreni drejt Serbisë.

Gjatë paraburgimit ata u zhdukën e më pas trupat e tyre u gjetën më vonë në një bazë në Petrovo Selo në Serbinë Lindore.

SHBA-ja e ka akuzuar në vazhdimësi Serbinë se ata ishin ekzekutuar, qëlluar në kokë me duart e lidhura pas shpine.

Dy policë të akuzuar për ndihmë në likuidimin e vëllezërve Bytyqi, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd për krime lufte.

Gjykata ka thënë se nuk ka prova për përfshirjen e tyre në vrasjet e kryera në korrik të vitit 1999.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar në shkurt të vitit 2019 se vrasja e vëllezërve Bytyqi është një krim i rëndë dhe se Serbia po bën gjithçka që duhet për ta hetuar rastin.

 

 

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button