11 të vdekur nga shembja e një pjese të stacionit hekurudhor në Novi Sad
Në incidentin tragjik që ndodhi sot në stacionin e trenit në Novi Sad, kur rreth mesditës u shemb një pjesë në hyrje të ndërtesës së stacionit, humbën jetën gjithsej 11 persona, transmeton Anadolu.
Lajmin mbi rritjen e numrit të viktimave e konfirmoi ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiq.
Ekipet e shërbimeve emergjente ndodhen ende në vendin e aksidentit, ku po punojnë për shpëtimin e të mbijetuarve dhe ndihmën për të lënduarit.
Një vajzë 14-vjeçare është nxjerrë e gjallë nga nën rrënoja, ndërsa një grua është ende e bllokuar nën një konstruksion të madh betoni.
Kryeministri Millosh Vuçeviq shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, duke e cilësuar këtë ditë si një nga më të vështirat në historinë e Novi Sadit të pasluftës. Vuçeviq theksoi se do të kryhet një hetim i detajuar për të përcaktuar shkaqet e sakta të shembjes dhe përgjegjësinë, me qëllim parandalimin e tragjedive të ngjashme.
Ndërkohë, një numër i madh njerëzish nga Novi Sadi iu përgjigjën thirrjes për dhurim gjaku pas tragjedisë, ndërsa persona të shumtë u mblodhën gjithashtu para Qendrës Emergjente të Vojvodinës për të marrë informacione për gjendjen e të afërmve të tyre.
Rreth orës 17:00 në vendin e aksidentit ka arritur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Trafiku hekurudhor në stacionin e Novi Sadit është ndërprerë dhe trenat lëvizin nga drejtimi i Beogradit në stacionin Petrovaradin.
Qeveria e Serbisë e shpalli 2 nëntorin Ditë zie në të gjithë vendin.