11 fajdexhinjtë e arrestuar dje, kanë fituar 2 milionë euro

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi sot se 11 persona janë arrestuar për fajde dhe pastrim parash, ndërsa një person tjetër është ende në kërkim.
“MPB ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër B.K. (35), i cili aktualisht është i pakapshëm për organet e ndjekjes, dhe kundër të ndaluarve: Lj.Lj. (29), D.V. (29), A.T. (29), D.Lj. (32), M.V. (25), M.N. (36), A.T. (32), Z.A. (42), për të cilët ekziston dyshim i bazuar se, si bashkautorë ose ndihmës, kanë kryer dy vepra penale. Ndërsa M.K. (73), P.K. (41) dhe G.S. (46) dyshohen për veprën penale ‘pastrim parash dhe përfitimesh të tjera nga vepra penale’”, thuhet në njoftim.
Sipas MPB-së, nëntë nga të dyshuarit, që nga fillimi i vitit 2022 e deri më sot, janë organizuar në një grup kriminal që ka dhënë para me marrëveshje, duke kërkuar përfitime të pabarabarta në para, pasuri ose pronë të paluajtshme.
“Duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të viktimave, atyre u kanë dhënë hua me kamatë mujore prej 5% deri në 15% për çdo vonesë. Nga viktimat kanë kërkuar që t’u kthejnë paratë e huazuara me kamatën e llogaritur ose të paguajnë çdo muaj shumën e kamatës. Kur nuk kanë qenë në gjendje të shlyenin borxhin, të dyshuarit kanë kërkuar që ata t’u dorëzonin ose t’i vinin peng pronat e tyre, duke i regjistruar në emër të ndonjërit prej të dyshuarve. Pagesat janë bërë drejtpërdrejt përmes të dyshuarve ose nëpërmjet transfertave bankare nga llogaria e viktimës në llogarinë e ndonjërit prej tyre”, sqarohet në komunikatë.
MPB saktëson se shumat e mëdha të parave që viktimat ua kanë kthyer të dyshuarve janë futur në llogaritë e tyre bankare ose në sef, pas së cilës përfitimet e paligjshme janë futur në qarkullim financiar ligjor. Ekziston dyshimi i bazuar se, në të njëjtën periudhë, të dymbëdhjetë të dyshuarit dhe një person juridik, si grup i organizuar për pastrim parash, kanë përfituar kundërligjshëm 125.033.527 denarë (rreth 2 milionë euro) nga veprimtaria e fajdesë.
“Një pjesë e parave të përfituara, që të dyshuarit i kanë marrë në disa raste nga persona fizikë në llogaritë e tyre ose në dorë, janë përdorur për të krijuar përshtypjen se mjetet janë fituar në mënyrë të ligjshme – përmes transaksioneve drejt llogarive të personave juridikë dhe fizikë, për shpenzime personale, për blerjen e pasurive të paluajtshme e të luajtshme dhe për një mënyrë jetese luksoze. Një pjesë e madhe e parave është tërhequr në të holla”, përfundon njoftimi i MPB-së.



