VLEN: Përfaqësimi i fuqishëm i Zekolli-Shaqirit në Dialogun e Nivelit të Lartë për Ukrainën

Shprehim mirënjohje dhe respekt të veçantë për angazhimin e Zëvendësministres së Transportit, Kaltrina Zekolli-Shaqiri, e cila në Stokholm përfaqësoi me dinjitet Republikën e Maqedonisë së Veriut në Dialogun e 4-t të Nivelit të Lartë për Ukrainën. Ky forum ndërkombëtar, ku morën pjesë personalitete të larta si Ministri i Infrastrukturës i Suedisë, Andreas Carlson, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Forumit Ndërkombëtar të Transportit (ITF), Young Tae Kim, ishte një dëshmi e solidaritetit global me Ukrainën.
Delegacioni ukrainas prezantoi gjendjen dramatike të sistemeve të transportit të shkatërruara nga agresioni rus, duke treguar rreziqet e përditshme me të cilat përballen qytetarët.
Diskutimet u fokusuan në rimëkëmbjen e transportit dhe sigurimin e funksionimit të sistemeve jetike, ndërsa u prezantuan mekanizma ndërkombëtarë për ndihmë të menjëhershme dhe mbështetje financiare.
VLEN thekson se qëndrimi i palëkundur i Maqedonisë së Veriut krah Ukrainës është një akt i lartë solidariteti dhe një dëshmi se siguria, stabiliteti dhe paqja në Evropë janë përgjegjësi e përbashkët. Ky angazhim është një mesazh i fuqishëm se vendi ynë jo vetëm që mbështet politikisht Ukrainën, por është pjesë aktive e përpjekjeve ndërkombëtare për rindërtim dhe stabilitet.
Ky përfaqësim i denjë është një shembull i qeverisjes së përgjegjshme dhe vizionit të qartë për rolin e Maqedonisë së Veriut në arenën ndërkombëtare. Zekolli-Shaqiri tregoi se vendi ynë mund të jetë zë i respektuar dhe i besueshëm në mbrojtjen e vlerave evropiane.



