Presidentja Osmani u prit në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio

Në kuadër të vizitës zyrtare në Washington, D.C., dhe në shënim të 18-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u prit në Departamentin e Shtetit nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Presidenca ka njoftuar se presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për ftesën që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ia bëri Kosovës për të qenë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes dhe pjesë e takimit inaugurues.
“Ajo po ashtu shprehu falënderimet për garancat e fuqishme që Presidenti Trump i dha dje për paqen në rajonin tonë dhe, me këtë rast, e falënderoi edhe Sekretarin Rubio për lidershipin dhe bashkëpunimin e tij në këtë proces”- thuhet në njoftimin e Presidencës më 20.02.2025.
Në njoftim thuhet se në këtë takim u diskutuan çështje të partneritetit strategjik, nga fusha e sigurisë rajonale dhe diplomacisë, deri te ekonomia dhe mbrojtja.
Sipas Presidencës, Osmani theksoi disa procese me rëndësi jetike për stabilitetin në rajon: fuqizimin e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, anëtarësimin e Kosovës në NATO, rëndësinë strategjike të pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, si dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në ekonomi dhe mbrojtje.
“Presidentja e falënderoi Sekretarin Rubio për mbështetjen e fuqishme amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Në këtë frymë, Presidentja theksoi rolin historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çlirimin, shtetndërtimin dhe konsolidimin e paqes në Kosovë, si dhe rëndësinë e veçantë të pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të misionit të NATO-s, si faktor kyç për stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani po ashtu citohet se nënvizoi se “rruga natyrore e këtij partneriteti strategjik është anëtarësimi i Kosovës në NATO, proces ky i domosdoshëm për të siguruar paqe afatgjatë në rajonin tonë”.
“Presidentja gjithashtu theksoi rëndësinë e avancimit të dialogut strategjik bilateral Kosovë–SHBA si mekanizëm për koordinimin e prioriteteve të përbashkëta dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha të ndryshme”.
“Ajo theksoi se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përbën interes jetik kombëtar dhe është ekzistencial për Republikën e Kosovës, duke vënë në pah prioritetet strategjike për thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik”- përfundon njoftimi.
Më 18.02.2026, presodentja Osmani kishte njoftuar se ka udhëtuar për në Uashington D.C për takimin inaugurues të Bordit të Paqes.Deri në dhjetor 20 vende kishin konfirmuar se do të jenë pjesë e Bordit. Ndër to, Kosova, Shqipëria, Bullgaria dhe Hungaria janë të vetmet vende europiane që janë bashkuar.Italia, Qiproja, Greqia dhe Rumania dhe Bashkimi Evropian, kanë vendosur të bashkohen si vëzhgues, që do të thotë se nuk do të marrin pjesë në vendimmarrje.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në vend të kësaj do të dërgojë Dubravka Suica, komisioneren evropiane për Mesdheun.
Sidoqoftë, presidentja Osmani pas nënshkrimit të Kartës të Bordit të Paqes më 22.01.2026 ka bërë të ditur se kjo marrëveshje historike, siç e quan ajo, do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit.



